Chelsea është pranë angazhimit të një trajneri të ri dhe ai mund të mos jetë Maurizio Sarri. Laurent Blanc thuhet të jetë alternativa më e favorizuar dhe sipas shtypit në Angli është shumë pranë përmbylljes së bisedimeve. Gazeta Express raportoi se Blutë e Londrës kanë vendosur të mos i paguajnë Napolit klauzolën prej 9 milionë eurosh për prishjen e kontratës me Maurizio Sarrin. Në garën për të zëvendësuar Antonio Conten janë edhe emra si Luis Enrique apo dhe së fundmi Zinedine Zidane, por këta të dy duken jo dhe aq të mundshëm për klubin e Roman Abramovich.
Blanc, i cili është i pa-angazhuar që pasi u largua nga PSG në 2016-ën, cilësohet me kontaktet e duhura për ta marrë këtë post. Si lojtar ai ka luajtur për dy sezone te United dhe e njeh futbollin anglez. Si trajner duke drejtuar si fillim Bordeaux-n dhe Francën, e më pas PSG, është i sprovuar në projekte të mëdha. Me 15 trofe të fituar, 4 prej të cilëve me Bordeaux-n në vitet 2008-2010-të, Blanc thuhet të jetë shumë pranë angazhimit në Stamford Bridge. Statistikat tregojnë për rreth 360 ndeshje si trajner, prej të cilave ka mundur t’i fitojë 236 prej tyre duke pësuar vetëm 56 humbje. Sidoqoftë ai shihet me skepticizëm për sa i përket ecurisë në Champions League, atje ku me PSG nuk është se arriti rezultate pozitive.