Angli, Chelsea ndryshon planet, shtyhet projekti për zgjerimin e stadiumit

Sport

chelsea
Ndryshime planesh te Chelsea. Projekti për të zgjeruar kapacitetin e stadiumit Stamford Bridge u raportua të premten se u vu në pritje. Shtypi e arsyetoi këtë vendim të ardhur për shkak të gjendjes që ka aktualisht Presidenti Roman Abramovich. Rusi me origjinë hebreje pati një problem me leje-qëndrimin e tij në Britani të Madhe, kjo pasi atij nuk iu ripërtëri viza. Në një deklaratë për shtyp nga Blutë, u tha se projekti i zgjerimit deri në 60 mijë spektatorë i Stamford Bridge-it është vënë në pritje për shkak të “klimës jo-të përshtatshme për investim”. Kështu sikurse u theksua në deklaratë asnjë plan ndërtimi apo nisje punimesh nuk do të kryhet këtë vit.

chelsea11

Me 41 mijë spektatorë, stadiumi i Chelsea-it është i 8-ti në Premier-League, për nga kapaciteti. Në Londër prej kohësh tifozët e Chelsea-it kërkojnë më shumë vende, kjo pasi rivalët e tyre si Arsenali, Tottenhami apo dhe West Hami, kanë investuar fuqishëm duke rinovuar impiantet e tyre me kapacitete edhe më të mëdha se 50 apo 60 mijë spektatorë. Planet ishin që punimet të nisnin këtë vit, ose vitin e ardhshëm, me një kërkesë të mbetur në sirtar që Chelsea t’i luante ndeshjet në Wembley deri në përfundim të punimeve. Por me këtë “klimë” ku ndodhet më së shumti Abramovich gjërat kanë ndryshuar. Kështu pas çështjes së trajnerit dhe skuadrës, tanimë në diskutim për Blutë vihen edhe investimet.