Angli, Chelsea kërkon Raheem Sterling; nisin kontaktet me Manchester City

Sport

Me Romelu Lukakun të larguar në formë huazimi dhe me Christian Pulisic e Hakim Ziyech që duken gjithnjë e më pranë largimi, Chelsea është detyruar të futet edhe njëherë në merkaton e sulmuesve këtë verë. ‘Blutë’ e Londrës kërkojnë të përforcohet tek reparti ofensiv dhe nuk kanë ndërmend të kursehen, sidomos kur bëhet fjalë për emra si Raheem Sterling. Shtatshkurtri i Manchester City shihet si përforcimi i duhur për trajnerin Thomas Tuchel, që do të kishte në dispozicion një lojtar i cili garanton cilësi, shpejtësi dhe epërsi numerike. Mediat angleze raportojnë se tek Chelsea nuk duan të humbasin kohë dhe kanë filluar menjëherë kontaktet e para me drejtuesit e City-t, për të bërë realitet një lëvizje të tillë. Kjo nuk ka për të qenë i lehtë, pasi kampionët e Anglisë janë të vetdijshëm se nuk mund të lejojnë aq thjeshtë kalimin e një lojtari si Sterling tek një nga rivalët kryesorë të tyre. Por detaji që ndihmon Chelsea në këtë aspekt, është kontrata aktuale e 27-vjeçarit.

Anësori ka hedhur poshtë deri më tani të gjitha propozimet e Manchester City për rinovimin e kontratës dhe nëse gjërat vijojnë kështu, atëherë në qershorin e vitin të ardhshëm, Sterling do të jetë një lojtar i lirë. Kështu, tek City janë të gatshëm të dëgjojnë propozimet që do të vijnë për kartonin e lojtarit, ndonëse pretendimet nuk janë të vogla. Kampionët e Anglisë kërkojnë rreth 50 milionë euro për ta lënë të lirë Sterling që këtë verë dhe tek Chelsea, aspekti financiar nuk është problem. gjithësesi, ‘blutë’ do të kërkojnë të ulin sa më shumë kostot, duke shfrytëzuar faktin se anësorit i ka mbetur edhe një vit kontratë. Transferimi i tij në ‘Stamford Bridge’ do të ishte mjaft i rëndësishëm, pasi do të ishte goditja e parë e madhe në këtë merkato për Chelsea-n, që do të rikthente edhe entuziasmin tek tifozët e tyre.