Angli, Chelsea firmons me Mudryk; ‘blutë’ do të lejojnë largimin e Sterling

Sport

Mykhaylo Mudryk është një lojtar i Chelsea-t. Talenti i shumëpërfolur i Shakhtar Donetsk ka bërë realitet lëvizjen e madhe të karrieës, duke u zhvendosur në Londër, por jo tek Arsenal-i, siç u aludua në fillim, por tek rivalët e Chelsea. Për të bërë realitet këtë lëvizje, ‘blutë’ kanë firmosur një marrëveshje me klubin ukrainas për një operacion që në total do të kapë vlerën e 100 milionë eurove, nëse arrihen disa objektiva. Klubi anglez do të paguajë menjëherë në arkat e Shakhtar 70 milionë euro, ndërsa 30 të tjera do të vijnë në formë bonusesh. Mudryk ndërkohë ka firmosur një kontratë të rrallë për 8 vite e gjysmë, nga ku do të përfitojë rreth 5,5 milionë euro në sezon, por kjo shifër do të ndryshojë me kalimin e viteve, teksa mund të ketë rritje të vazhdueshme në bazë të paraqitjeve të 22-vjeçarit. Padyshim që transferimi i Mudryk shihet si lëvizja më e rëndësishme në këtë merkato dimërore, me Chelsea-n që ka bërë shpenzime të mëdha për të ndryshuar situatën e vështirë në të cilën ndodhet. Mudryk është një nga talentet më të vlerësuar të brezit të tij dhe performancat e mira në ‘Champions League’ gjatë fazës në grupe, bënë që klube të mëdha europiane të kthenin vëmendjen drejt tij. Por kërkesat e larta të Shakhtar Donetsk mund të realizoheshin vetëm nga klubet e pasura angleze dhe Chelsea fitoi betejën në distancë me Arsenal-in. Në këtë sezon, Mudryk numëron 10 gola e 8 asiste me fanellën e Shakhtar në 18 ndeshje të luajtura, çfarë dëshmojnë një rendiment mjaft të mirë të sulmuesit.

Me afrimin e Mudryk, shtuar këtu edhe huazimin e Joao Felix, hapet rruga për largimin e Raheem Sterling. Aventura e tij në kryeqytet duket se nuk do të zgjasë më shumë se sa gjysmë sezoni, gjithnjë nëse do të ketë një ofertë konkrete për të. Edhe pse ka dhënë kontributin e tij me 6 gola e 3 asiste në 22 ndeshje, Sterling nuk i ka përmbushur pritshmëritë e drejtuesve, kur konfirmohen afrimin e tij gjatë verës së vitit të kaluar për shifrën e 56 milionë eurove.