Angli/ Arsenali qëndron në krye të kampionatit, Liverpool del jashtë parashikimeve

Sport

Arsenali vazhdon të qëndrojë në krye të renditjes në Premier League, edhe pas javës së 13-të. Në takimin e fundit, Gunners fituan me rezultatin e thellë 5-0 ndaj Nottingham Forest, duke u ngjitur në kuotën e 31 pikëve, por me një ndeshje në dispozicion për të rikuperuar. Ndonëse nuk shënoi ndaj Forest, Gabriel Jesus shërbeu dy assist për shokët e skuadrës. Duke u nisur që nga edicioni I kaluar, Jesus ka dhënë 13 pasime për gol në kampionat dhe renditet vetëm pas Kevin De Bruyne me 17 dhe Mohamed Salah me 16-të.

Bukayo Saka është një prej futbollistëve më të spikatur në formacionin e klubit londinez. Vetëm 21 vjeç e 55 ditë, Saka është lojtari I 3-të më I ri që ka asistuar për 20 gola në Premier League, duke u renditur pas Cesc Fabregas dhe Ëayne Rooney.

Falë kësaj fitoreje, kjo ishte hera e 19-të në historinë e klubit që Arsenali e fiton një ndeshje me plus 5 gola diferencë në Premier League. Të 18-ta rastet e mëparshme I ka fituar pëgjatë epokës së Arsene Ëenger.

Më tej, Manchester City I vendit të dytë është mjaftuar edhe me një fitore minimale 1-0 jashtë shtëpie ndaj Leiçester. Një sukses të mundimshëm ka arritur edhe Tottenham ndaj Bournemouth me shifrat 3-2, apo edhe Manchester United 1-0 përballë Ëest Ham.

Në javën e 13-të është dorëzuar Chelsea, që është mposhtur 4-1 nga Brighton. Kjo ishte disfata e parë e Graham Potter në krye të stolit të Bluve, e ardhur pikërisht nga ish-skuadra e tij.

Mirëpo, skuadra që ka dalë jashtë parashikimeve këtë sezon, padyshim që mund të konsiderohet Liverpool. The Reds u mposhtën 2-1 në Anfield nga Leeds United, në atë që ishte disfata e dytë radhazi për të besuarit e Jurgen Klopp dhe e 4-ta sezonale në Premier League. Si pasojë, gjigantët e Merseyside klasifikohen në vendin e 9-të të tabelës në kuotën e 16 pikëve dhe për momentin ndodhen 8 pikë nga vendi I 4, duke komplikuar edhe në këtë mënyrë edhe kualifikimin në Champions League për edicionin e ardhshëm futbollistik.