Angli, Arsenali eliminohet nga Kupa e Federatës, kontestohet Wenger

Sport

fffgveg

Tjetër zhgënjim për Arsenalin që u eliminua nga Kupa e Federatës së Anglisë pa kaluar as raundin e tretë të saj. Topçinjtë, të cilët ishin dhe kampionët në fuqi, u mundën 4-2 nga një skuadër si Nottingham Forest, që në kategorinë e dytë mban mesin e tabelës. Wenger aktivizoi në këtë ndeshje lojtarë rezerva, si Nelson, Willock apo Maitland-Niles. Ndërsa spikatën mungesat e Sanchez dhe Ozil, Mertesacker dhe Wellbeck nuk mjaftuan në fushë. Pas kësaj humbjeje tifozët e Arsenalit kanë rikthyer koret kundër trajnerit Wenger të cilin e ngarkojnë me përgjegjësi për sezonin tejet dëshpërues që po ka skuadra. Vetë francezi justifikoi formacionin që kishte hedhur në fushë me kalendarin e ngjeshur dhe me vështirësitë fizike që kanë aktualisht disa lojtarë. Wenger tha se Nottingham Forest gëzonte më tepër freski dhe përqendrim në fushë dhe pikërisht këto ishin ato që diktuan ndeshjen. Momenti është nga më të këqijt për trajnerin 68-vjeçar. I pa-aftë për të bindur dyshen Sanchez-Ozil që të qëndrojnë, ai përballet edhe me një pezullim të mundshëm nga Federata për shkak të kontestimeve të gjyqtarëve. Ndërkohë gjermani Mertesacker i ka dalë në krah trajnerit duke i hedhur fajin lojtarëve të cilët sipas tij nuk shpërblyen si duhet besimin e dhënë. Pa pjesëmarrje në Champions League për herë të parë në këto 20 vite, ky sezon për topcinjtë mund të mbyllet edhe jashtë Evropës, pasi aktualisht lufta për 5 vendet e para në Premier është tejet e fortë dhe Arsenali ndodhet në vend të 6-të, 2 pikë larg Tottenhamit.