Arsenali beson më shumë se kurrë se mund të arrijë tek titulli kampion. Londinezët kanë bërë një hap të rëndësishëm teksa mposhtën 3-2 në shtëpi Manchester United, falë dopietës së Eddie Nketiah dhe realizimit të Bukayo Saka. Fillimisht, në avantazh kaluan ata të United falë një goli mjaft të bukur të Marcus Rashford. Nketiah dhe Saka përmbysën për Arsenalin, ndërkohë që barazimi do të vendosej edhe njëherë në fuqi falë realizmit të Lisandro Martinez. Dhe kur dukej se gjithçka do të mbyllej me nga një pikë për secilën skuadër, Nketiah ia doli të shënonte në fundin e kohës së rregullt, duke i dhënë 3 pikë me shumë vlera skuadrës së Artetas.
Nketiah është kthyer në një element kyç tek Arsenali, pasi numëron 18 gola në 26 ndeshje si titullar me fanellën e londinezëve në të gjitha kompeticionet, duke llogaritur këtu 12 gola në 13 ndeshjet e fundit në formacion. Ndërsa Saka është lojtari i tretë në historinë e Arsenalit që shënon gol në 3 ndeshje radhazi kundër Manchester United, diçka që më parë e kanë realizuar vetëm Freddie Ljunberg dhe Thierry Henry. Kështu, ‘gunners’ udhëheqin renditjen në Angli me 50 pikë, 5 më shumë se sa Manchester City, që po ashtu ka luajtur edhe një ndeshje më shumë se sa rivalët në krye.
‘Cityzens’ ndërkohë bënë detyrën në shtëpi ndaj Ëolverhampton, duke triumfuar 3-0, falë tripletës së Erling Haaland. Sulmuesi norvegjez vijon me ritmin e tij të çmendur, duke thyer rekorde ndeshje pas ndeshje. Haaland numëron 4 tripleta në vetëm 19 ndeshje në ‘Premier League’ dhe askush nuk e ka realizuar më shpejt një gjë të tillë. Tani rekordi i radhës është ai i më shumë tripleta brenda një sezoni në ‘Premier League’ që aktualisht mbahet nga legjenda e futbollit anglez, Alan Shearer, i cili në sezonin 1995/1996 kompetoi 5 tripleta.