Angli, Arsenal arrin marrëveshjen me Brighton për Leandro Trossard

Sport

Skuadra e Brighton vazhdon të befasojë me paraqitjet e këtij sezoni në ‘Premier League’, me trajnerin De Zerbi që po shtyn ekipin drejt luftës për zonën europiane. Kjo ka bërë që të dallohen edhe shumë elementë cilësorë, që po tërheqin vëmendjen e klubeve të mëdha në këtë merkato janari. Leandro Trossard është e destinuar për t’u larguar nga Brighton, që ka arritur një marrëveshje për transferimin e 28-vjeçarit tek Arsenali. Kryesuesit aktualë të kampionatit anglezë e shohin mesfushorin belg si profilin e duhur për t’u përforcuar për pjesën e mbetur të sezonit, me titullin kampion që tani nuk shihet më si utopi nga ana e londinezëve. Arsenali do të paguajë në arkat e Brighton plot 24 milionë euro për kartonin e Trossard, ndërkohë që në rast se realizohen disa objektiva të parashikuara në marrëveshje, atëherë Brigton do të përfitonte edhe 6 milionë euro të tjera në formë bonusesh. Trajneri i ‘topçinjve’, Mikel Arteta ka këmbëngulur prej disa javësh për transferimin e Trossard, i cili mund ta ndihmojë skuadrën në repartin e sulmit, duke qenë se mund të luajë në pozicione të ndryshme. Belgu u bë pjesë e Brighton në verën e 2019-ës, kur për të, klubi anglez pagoi thuajse 16 milionë euro tek skuadra e Genk. Shitja e tij nga drejtuesit e Brighton është kthyer në një domosdoshmëri, pasi lojtari deri më tani nuk e ka pranuar rinovimin e kontratës, që supozohet të skadojë në qershorin e vitit të ardhshëm.