Angli, Ancelotti thotë se të respektojë kontratën me Evertonin

Sport

Evertoni e nisi në mënyrë të shkëlqyer sezonin e ri në ‘Premier League’ duke mbajtur kryesimin për disa javë. Por mungesat e rëndësishme bënë që ekipi i drejtuar nga Carlo Ancelotti të kthehej me ‘këmbë në tokë’, teksa tani mbajnë vendin e 5 me 23 pikë. Vetë tekniku italian është i kënaqur me punën e bërë nga ana e lojtarëve të tij, edhe pse është i vetëdijshëm se ka ende shumë vend për përmirësim. Për më tepër, Ancelotti nuk ka ndërmend as të largohet nga drejtimi i ‘the Toffees’ dhe planet e tij janë që të respektojë deri në fund kontratën që e mban të lidhur në ‘Goodison Park’. 61-vjeçari firmosi një kontratë për 4 vite e gjysmë me skuadrën e Everton gjatë dhjetorit të kaluar dhe duke parë si kanë ecur gjërat, ish-trajneri i Milanit dhe Real Madrid synon të vazhdojë përpara me projektin e nisur. Në intervistën për mediat angleze, Ancelotti nuk kërkoi të fliste për objektiva madhorë, duke thënë se e rëndësishme për ekipin e tij është që të përmirësohen dhe të kenë vazhdimësi në paraqitjet e tyre. Por ai nuk e mohoi faktin se dëshiron t’i japë trofe apo diçka speciale klubit dhe tifozëve të Everton. Sa i përket mungesave, Ancelotti u shpreh se në një sezon si ky, dëmtimet e shpeshta të lojtarëve janë diçka që çdo trajner apo klub duhet t’i marrë parasysh, prandaj sipas italianit, është e rëndësishme që të gjithë lojtarët të përfshihen dhe të japin kontributin e tyre në fushë. Fitorja ndaj një kundërshtari direkt për zonën europiane si Leicester, ishte sipas Ancelottit një tregues i qartë i dëshirës së skuadrës së tij për bërë sa më mirë. Edhe pse mungonin emra si James Rodriguez, Lucas Digne, Delph apo Coleman, ‘the Toffees’ ia dolën të mposhtnin Leicester, falë dy golave të Richarlison dhe Holgate.