Angli, Agjenti i Salah hedh poshtë lidhjet e lojtarit me Real Madrid

Sport

Mohamed Salah nuk ka qenë kurrë në kontakte me Real Madrid. Të paktën këtë ka konfirmuar agjenti i sulmuesit egjiptian, Ramy Abbas, i cili ka hedhur poshtë spekulimet e ish-asistentit të trajnerit të kombëtares së tij, Hani Ramzy, që thoshte se vetë lojtari i kishte konfirmuar ofertën e ‘los blancos’ gjatë marsit të vitit 2018. Ylli i Liverpool duket se nuk ka kontaktuar asnjëherë me Real Madrid dhe me gjasa, edhe në këtë merkato verore, 27-vjeçari do të vijojë të jetë pjesë e Liverpool. Agjenti i Salah konfirmoi se sulmuesi po e shijon momentin tek skuadra e Jurgen Klopp dhe sipas tij, është e pakuptimtë që të lindin spekulime të tilla që e shohin të dëshirojë një transferim në Spanjë. Për më tepër, Salah kërkon të respektojë kontratën e tij me ‘the reds’ dhe për sa kohë në krye të ekipit është trajneri gjerman, ai ka një arsye më shumë për të këmbëngulur në qëndrimin e tij në Merseyside. Anësori u bë pjesë e Liverpool në verën e vitit 2017, kur u transferua nga Roma për shifrën e 42 milionë eurove, teksa vlera aktuale e kartonit të tij llogaritet në 120 milionë euro. Sezonin e kaluar, ai ia doli të shpallej kampion i Europës me Liverpool-in si protagonist. Ndërsa këtë vit, Salah është shumë pranë arritjes së titullit kampion në ‘Premier League’, trofe që i mungon ‘the reds’ prej thuajse 30 vitesh. Edhe gjatë 2019/2020-ës, egjiptiani ka qenë mjaft i rëndësishëm për trajnerin Jurgen Klopp, me 20 gola dhe 9 asiste, në 40 ndeshje të zhvilluara në të gjitha kompeticionet.