Angel Di Maria zbulon momentin se kur do të tërhiqet nga kombëtarja argjentinase. Copa America do të jetë turneu i fundit që mëngjarashi do të marrë pjesë me përfaqësuesen e tij. Turneu në fjalë, do të zhvillohet nga 20 Qershori, deri në 14 Korrik të 2024-tës, me Argjentinën, që do ta nisë atë kompeticion me petkun e kampiones në fuqi, pas triumfit ndaj Brazilit në 2021-shin.
Sapo të mbyllë atë aventurë, Di Maria do të njoftojë në rrugë zyrtare edhe vendimin për të mos qenë më pjesë e përfaqësueses së drejtuar nga Lionel Scaloni. Thënë këtë, 35 vjeçari nuk do të jetë në Botërorin e 2026-tës, ku sërish, Argjentina do të jetë në mbrojtje të titullit të fituar në Katar në Dhjetor të 2022-shit.
Me përfaqësuesen albiçeleste, anësori i sulmit ka luajtur 134 ndeshje në të gjitha garat, teksa ka arritur të shënojë edhe një total prej 29 golash. Di Maria, njihet si lojtari i ndeshjeve të mëdha dhe këtu nuk bëhet përjashtim as kur ka mbajtur veshur fanellën e vendit të tij.
Ish-lojtari i Real Madrid, luajti një rol thelbësor në triumfin e 2021-shit në Copa America, atëherë kur në finale ndaj Brazilit, arriti të shënonte edhe golin e fitores. Të njëjtën gjë, 35 vjeçari e vërtetoi edhe në Katar, ku përveçse zhvilloi përgjithësisht një Botëror pozitiv, ai arriti të shënonte edhe një gol në finalen e madhe ndaj Francës.