Angel Di Maria rikthehet zyrtarisht tek Benfica

Sport

Angel Di Maria rikthehet zyrtarisht tek Benfica. Argjentinasi ka zbarkuar edhe një herë aty ku nisi gjithçka, në klubin ku u bë i njohur 16 vite më parë dhe që i shërbeu si trampolinë për të ndërtuar një karrierë të jashtëzkonshme.

Me kampionët e Portugalisë, mëngjarashi ka nënshkruar vetëm për një sezon, deri në verën e 2024-tës. Duke marrë parasysh që është 35 vjeç, nuk përjashtohet mundësia që edicioni 2023/24 të jetë i fundit në karrierën e lojtarit, ose të paktën në Europë.

Sidoqoftë, anësori i sulmit, është bërë pjesë e organikës së Roger Schmidt me parametra zero, duke qenë se i përfundoi kontrata një vjeçare me Juventusin. Padyshim që Di Maria konsiderohet një përforcim i shkëlqyer i shqiponjave dhe pritet që ai t’i japë një marsh më tepër manovrës sulmuese.

Sa i përket eksperiencës së mëparshme të kampionit të botës me Benfican, ajo nisi në 2007-tën, e zgjati për 3 sezone, deri në 2010-tën. Asokohe, ish-futbollisti i Zonjës së Vjetër u aktivizua 121 ndeshje në të gjitha kompeticionet, shënoi 15 gola, e kontribuoi me 28 asiste, e madje arriti të fitonte një titull kampion dhe dy kupa të ligës.

Këto statistika bënë që Real Madrid të “dashurohej” pas lojtarit, me klubin spanjoll që pagoi plot 33 milionë euro në arkat e Benficas për të nënshkruar me futbollistin. Pas 3 viteve në Spanjë, aventura e Di Marias vijoi për një sezon në Angli tek Manchester United dhe më pas për 8 edicione në radhët e PSG në Francë. Kurse në edicionin që lamë pas, argjentinasi luajti me Juventusin.

Sa i përket Benficës, përveç Di Marias, kampionët e Portugalisë kanë punuar në merkato për përforcimin e skuadrës. Ata kanë nënshkruar gjithashtu edhe me turkun, Orkun Kokçu nga Feyenoord, me fantazistin që konsiderohet si pasuesi i Enzo Fernandez.