Angel Di Maria mund të rinovojë kontratën me Juventusin

Sport

Juventusi po punon për rinovimin e kontratës së Angel Di Maria. Në pak muaj, argjentinasi do të jetë një lojtar i lirë, sepse marrëveshja fillestare e verës së 2022-shit ishte vetëm për një edicion, nga e cila përfiton 7 mln euro. Mirëpo, e ardhmja e kampionit të botës, mund të jetë ende në klubin bardhezi, të paktën edhe për një tjetër sezon.

Sikurse raportojnë mediat italiane, drejtues të klubit torinez, janë takuar me anëtarë të futbollistit në fjalë dhe diskutimet e para duken mjaft pozitive. Vetë anësori i sulmit, herë pas here është shprehur se do të dëshironte të qëndronte tek Juventusi, sepse veç të tjerash, familja e tij është shumë e lumtur në Torino.

Mirëpo, që Di Maria të rinovojë, një rol mjaft të rëndësishëm në këtë mes mund të luajë edhe faktori Champions League. Për momentin, Juventusi ndodhet në vendin e 7 të tabelës në kuotën e 41 pikëve, 7 më pak sesa vendi i 4 që mbahet nga Milani. Me 11 ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit, në kampin bardhezi janë optimistë se gjithçka është e mundur dhe misioni mund të arrihet me sukses.

Kualifikimi në Champions League për sezonin e ardhshëm, do të thotë më tepër të ardhura për Juventusin, çka do t’i mundësonte klubit që të rinovonte pa problem kontratën me një futbollist si Angel Di Maria.

Përgjatë këtij edicioni futbollistik, pavarësisht problemeve fizike, Di Maria ka ditur të jetë një lojtar i rëndësishëm në formacionin e trajnerit Massimiliano Allegri, duke kontribuar me 4 gola dhe 4 asiste në 16 ndeshje të Serie A.