Zyrtarizohet largimi i Angel Di Marias nga Juventusi. Aventura e argjentinasit me klubin torinez zgjati vetëm një vit, ndonëse për disa kohë, mes palëve u shqyrtua mundësia për të rinovuar kontratën. Gjithësesi, problemet e Juventusit me drejtësinë, e po ashtu edhe mospjesëmarrja në Champions League për edicionin e ardhshëm, e bënë thuajse të pamundur qëndrimin e mëngjarashit në Torino.
Në kanalin zyrtar, klubi bardhezi e falenderon lojtarin për kontributin e dhënë nën urdhërat e trajnerit Massimiliano Allegri. Në total, Di Maria luajti 40 ndeshje në të gjitha kompeticionet me Juventusin, duke kontribuar me 8 gola e 7 asiste. Padyshim që kontributi mund të konsiderohet pozitiv, por që mund të kishte shkuar edhe më mirë se kaq, nëse lojtari nuk do të kishte qenë i kushtëzuar ngë dëmtimet e shumta fizike.
Sa i përket të ardhmes së lojtarit, ajo ende nuk mund të thuhet me siguri, megjithësi aventura e 35 vjeccarit në Europë mund të konsiderohet e papërfunduar. Sipas mediave botërore, alternativa më e besueshme, është që Di Maria të rikthehet edhe një herë tjetër tek Benfica, aty ku për herë të parë zbarkoi në 2007-tën dhe luajti për 3 vite, përpara se të transferohej në radhët e Real Madrid.