Andrea Pirlo drejt rikthimit në pankinë. Që prej fundit të sezonit të shkuar, atëherë kur u largua nga Juventusi, tekniku italian nuk është parë më të trajnojë një ekip. Megjithatë, dita kur një gjë e tillë të ndodhë, nuk duket larg.
Sikurse raportojnë mediat italiane, Pirlo është gati të marrë drejtimin e skuadrës së Fatih Karagumruk, që prej dy vitesh tashmë militon në Superligën turke. Marrëveshja duket e kompletuar, teksa pritet vetëm zyrtarizimi I tij në krye të stolit të skuadrës me bazë në Stamboll.
Andrea Pirlo ka trajnuar vetëm një sezon si trajner, atë 2020/21, kur mori drejtimin e skuadrës së Juventusit. Gjatë kësaj periudhe në krye të bardhezinjve, 43 vjeçari nuk mundi ta rendiste dot skuadrën më tepër sesa vendi I 4 në kampionat, por që gjithësesi ishte mjaftueshëm për të marrë pjesë në Champions League.
Megjithatë, Pirlo diti të ishte I suksesshëm, sepse triumfoi në Superkupën dhe Kupën e Italisë. Dy trofe që nuk u konsideruan të rëndësishëm nga drejtuesit e klubit, të cilët vendosën që të ndanin rrugët me takticienin nga Breshia.
Gjatë kësaj kohe që ka qenë larg stolit, klube të ndryshme kanë treguar interes për Pirlon, por mesa duket, ish-mesfushori tashmë e ka bërë zgjedhjen e tij dhe së shpejti pritet të emërohet në krye të skuadrës së Karagumruk.