Andrea Belotti është zyrtarisht një lojtar I Fiorentinës, që I ka siguruar shërbimet e sulmuesit deri në 30 Qershor të këtij viti vetëm në formën e huazimit, pa të drejtën e blerjës, diçka që është konfirmuar edhe nga klubi vjollcë në kanalin zyrtar.
Për Belottin është përfolur gjatë, jo vetëm përgjatë kësaj merkatoje, por gjithashtu edhe në atë të verës që lamë pas. Megjithatë, ardhja e trajnerit Daniele De Rossi në krye të skuadrës, u duk sikur do ta ndryshonte disi këtë situatë, me teknikun që në konferencën për mediat u shpreh se Belotti është një futbollist I rëndësishëm i organikës verdhekuqe dhe se padyshim që ai është pjesë e planeve të tij.
Megjithatë, nuk ndodhi kështu. Brenda një kohe të shkurtër, situata mori një tjetër rrjedhë, me Andrea Belottin që tashmë, për gjysmën e dytë të sezonit, do të mbajë veshur fanellën e Fiorentinës, por që sigurisht, kartoni I tij do të jetë në pronësinë e Romës, klub me të cilin ka një kontratë deri në verën e 2025-tës.
Në Artemio Franchi, sulmuesi I qendrës do të mbajë veshur fanellën me numrin 20.