Anderlechti është emri më i madh i futbollit në Belgjikë dhe me një histori për t’u admiruar edhe në arenën europiane. Por këtë sezon, 34 herë kampionët janë në një nga nisjet më të këqija të historisë së klubit, që mund të konsiderohet zyrtarisht në krizë. Humbja e radhës erdhi në shtëpi, ndaj një Antwerp-i të mbushur me veteran. Në fakt, Anderlechti po luante mirë dhe pasi kishte barazuar me Chadli, tentoi përmbysjen, por kartoni i kuq i Lokongas duket se i dha tjetër drejtim ndeshjes. Antwerp gjeti golin në çastet e fundit, duke i dhënë një tjetër ‘shuplakë’ gjigandëve nga Brukseli. Sezonin e shkuar, klubi ndryshoi presidencën, stafin e lartë të drejtuesve dhe thuajse gjithçka tjetër. Në organikën e ekipit janë bërë ndryshime themelore dhe ajo që vihet re është prezenca e shumtë e lojtarëve të rinj në moshë, kryesisht të ardhur nga akademia e Anderlechtit.
Drejtuesit kanë afruar edhe disa veteranë, në përpjekje për të ndihmuar talentet e reja të fitojnë eksperiencë, mirëpo për momentin asgjë nuk po shkon mirë. Mes gjithë këtij revolucioni, pritej që Anderlechti të haste vështirësi të mëdha, mirëpo një emër kaq i madh në Belgjikë nuk mund të lëshojë përpara çdo skuadre të mundshme. Fitorja e vetme në këto 7 ndeshje të para ka ardhur në ‘klasiken’ me Standard Liege, që për shumë tifozë të Anderlechtit konsiderohet si ndeshja më e vështirë e sezonit. Por duket se ajo fitore minimale 1-0 erdhi vetëm për historinë që ka përplasja me Standard-in, pasi në sfidën kundër Antwerp, të rinjtë e drejtuar Simon Davies shfaqën të njëjtat të meta si në sfidat e mëparshme ndaj Genk e Kortrijk. Kompany erdhi si blerja e madh e verës dhe ish-mbrojtësi i Manchester City, i cili për momentin qëndron i dëmtuar, është nga ata që po e vuajnë më shumë këtë ecuri negative të legjendës së futbollit belg.