Largimi i Jose Mouinhos nga Manchester United ishte një lëvizje që tifozët e ‘djajve të kuq’ e pritën prej kohësh, por edhe pasi kanë kaluar kaq shumë kohë, mbeten ende të paqarta arsyet e vërteta se pse tekniku portugez i prishi marrëdhëniet me drejtuesit e klubit. Në lidhje me këtë ka folur edhe mesfushori Ander Herrera, i cili tanimë është pjesë e PSG në Francë. Herrera foli me elozhe për Mourinhon e madje e cilësoi si trajnerin më të mirë në botë kur gjërat në skuadër shkonin mirë. Spanjolli tha se me ‘Special One’, ekipi ndihej i bashkuar në sezonin e parë. Tekniku krijonte gjithnjë ambjent të mirë brenda grupit të lojtarëve dhe gjërat sipas Herreras po shkonin në mënyrën më të mirë të mundshme. Por siç zbuloi mesfushori, në 6 muajt e fundit të Mourinhos në ‘Old Trafford’, mes trajnerit portugez dhe drejtuesve të klubit pati shpeshherë debate dhe përplasje, të cilat vetë Herrera apo lojtarët e tjerë të skuadrës nuk arrijnë t’i shpjegojnë. Ato përplasje duket se sollën edhe prishjen e ekuilibrave në ekip, pasi askush nuk dinte arsyet e vërteta se pse gjërat u komplikuan aq shumë në një moment të mirë të skuadrës. 30-vjeçari e mbylli duke thënë se të gjitha problemet mes Mourinhos dhe drejtuesve të Manchester United ndikuan më shumë se sa mendohet tek lojtarët e ‘djajve të kuq’, çfarë shpjegon mospërqëndrimin në fushën e lojës dhe krizën e rezultateve në muajt e fundit të Mourinhos. Ander Herrera braktisi klubin anglez verën e shkuar, kur u transferua si lojtar i lirë tek skuadra kampione e Francës, PSG.