Carlo Ançelotti ka hedhur poshtë hamendësimet që e kanë lidhur atë përgjatë ditëve të fundit me marrjen e drejtimit të kombëtares braziliane. Pavarësisht nga sa është thënë, Ançelotti është i vendosur për të ardhmen e tij.
“Nuk do largohem nga Real Madrid. Një gjë e tillë do të ndodhë vetëm nëse më shkarkojnë”, ka cituar ndër të tjera tekniku 4 herë fitues i Champions League.
Madje jo vetëm kaq. Kontrata e Ançelottit me Real Madrid përfundon në verën e 2024-tës, por italiani dëshiron të qëndrojë në “Santiago Bernabeu” edhe për shumë sezone të tjera, duke lënë të hapur edhe mundësinë e rinovimit të marrëveshjes.
Për momentin, në zyrat e 14 herë kampionëve të Europës nuk flitet për një gjë të tillë, por gjithçka do përcaktohet nga ecuria e skuadrës në vijueshmëri të sezonit. Triumi në Kupën e Botës për Klube, e ka qetësuar disi ambientinmadrilen, por sidoqoftë, stoli i Ançelottit vazhdon të jetë i nxehtë.
Situata mund të ndryshojë, nëse Reali përmirëson ecurinë e rezultateve në La Liga, aty ku ka mbetur 8 pikë prapa Barcelonës, e po ashtu në rast të një rrugëtimi të suksesshëm në Champions League. Ndonëse Reali është kampioni në fuqi i Europës dhe Spanjës, në kampin madrilen e kanë harruar atë që ka ndodhur në sezonin e kaluar dhe duan sërish maksimumin edhe nga edicioni actual.