Dy humbjet në 5 ndeshjet e fundit në kampionat dhe diferenca me 8 pikë pas Barcelonës kryesuese, ka bërë që në kampin madrilen të krijohet një atmosferë tepër e rënduar psikologjike. Në kushte si këto, vendi I Carlo Ançelotti tashmë nuk është më I sigurt.
Në mënyrë që italiani të shpëtojë stolin e tij, duhet të fitojë Botërorin e Klubeve, për të rikthyer disi qetësinë në ambientin e 14 herë kampionëve të Europës.
Në gjysmëfinale të turneut të Botërorit të klubeve, që këtë herë zhvillohet në Marok, Reali do luajë të mërkurën në orën 20 përballë skuadrës egjiptiane, Al Ahly.
Një rikthim me duar bosh në shtëpi, mund t’I bëjë drejtuesit e klubit që të marrin vendimin për të shkëputur përpara kohe marrëveshjen aktuale me 64 vjeçarin, që skadon në verën e 2024-tës.
Pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm në edicionin e kaluar, ku Reali triumfoi në Champions League dhe në kampionat, Ançelotti e di shumë mirë se një gjë e tillë nuk do e shpëtonte atë nga shkarkimi. E vetmja rrugë që ish-tekniku I Milanit të vijojë të drejtojë 14 herë kampionët e Europës, është të fitojë Kupën e Botës dhe më pas të normalizojë ecurinë e sezonit në La Liga.
Sidoqoftë, vlen të përmendet se përgjatë këtij edicioni, Ançelotti asnjëherë nuk e ka pasur skuadrën të plotë në dispozicion. Dëmtimet e herëpashershme të disa prej futbollistëve kryesorë si Benzema, David Alaba, Ferland Mendy apo Daniel Carvajal, kanë bërë që skuadra të mos marrë dot gjithmonë maksimumin e pikëve në fushën e lojës.