Ançelotti dhe Guardiola flasin pas ndeshjes së parë

Sport

Pas përfundimit të ndeshjes së parë gjysmëfinale në Madrid, mes Realit dhe Manchester Cityt të mbyllur 1-1, trajnerët e skuadrave përkatëse, Carlo Ançelotti dhe Pep Guardiola, kanë dhënë përshtypjet e tyre mbi atë se çfarë ndodhi në fushën e lojës.

Tekniku i Los Blancos, Ançelotti, është shprehur se skuadra e tij meritonte të fitonte ndaj asaj angleze. “Ishte një ndeshje e mirë dhe jemi me përshtypje pozitive. Por do thoja gjithashtu se rezultati është i mirë edhe për Cityn. Në 30 minutat e para u përshtatëm mjaft mirë dhe kombinimet e lojtarëve funksionuan në mënyrë të përkryer mes linjave. Jemi të lumtur dhe mjaft të motivuar për ndeshjen e ardhshme”, ka deklaruar fillimisht italiani, i cili më pas, nuk i ka kursyer disa kritika mbi gjykimin e ndeshjes, sidomos në aksionin e golit të barazimit të Cityt, ku vendasit protestuan për daljen e topit jashtë vijës anësore. “Topi doli jashtë. Këtë nuk e them unë, por e thotë teknologjia. Jam i surprizuar nga mënyrë sesi këto detaje nuk u vunë re nga arbitri”, ka cituar ndër të tjera tekniku italian.

Nga ana tjetër, trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka thënë se ndeshja e radhës më Etihad do të jetë një finale e vërtetë, aty ku të dyja skuadrat do të kërkojnë kualifikimin drejt finales së Champions League.

Megjithatë, sa i përket ndeshjes së luajtur, spanjolli ka thënë se barazimi ishte rezultati i drejtë. “Kur ne ishim më mirë, Reali shënoi. Ndërsa kur Reali ishte më mirë, ne shënuam. Mendoj se në përgjithësi ishte një sfidë e ekuilibruar. Reali është një skuadër mjaft e mirë, me eksperiencë dhe kualitet. Mirëpo, as ne nuk mbetemi prapa”, janë fjalët e numrit një të stolit të kampionëve të  Anglisë.

Përpara se të luhej akti i parë në Madrid, figura të ndryshme të futbollit ndanë opinionin e tyre, se Reali do të shkatërrohej nga Manchester City me rezultat të thellë. Pas ndeshjes, Pep replikoi mbi këtë temë: “Kush janë këta? A e keni idenë se ndaj cilit kundërshtar po luajmë? A e dini  sa Champions League ka fituar Real Madrid? Nuk është faji im që ju keni menduar se ne do të fitonim 6-0”, ka mbyllur 52 vjeçari.

Ndeshja e kthimit mes Manchester Cityt dhe Real Madrid do të luhet të mërkurën e datës 17 Maj në Etihad, atje ku do të përcaktohet përfundimisht se cila skuadër do të kualifikohet në finale të Champions League.