Paraqitja jo e mirë ndaj Juventusit duket sikur dha efekte kundër Elseid Hysajt. Anësori shqiptar qendroi gjatë të gjithë kohës në stol, gjatë ndeshjes së të mërkurës që Napoli fitoi 1-0 përballë Liverpool. Kjo zgjedhje e Ancelottit, megjithatë, më shumë sesa , ka pasur karakter taktik në mendjen e teknikut. Vetë ai ka shpjeguar se preferoi të aktivizonte Maksimovic, përderisa i druhej sulmit të Liverpulit, që ishte i përbërë nga treshja Salah-Firmino-Mane’. “Në fazën mbrojtëse nuk ndryshoi shumë. Më tepër ndryshoi mënyra e ndërtimit të aksioneve nga prapavija. Preferova Maksimovic në vend të Hysajt, për të shmangur presionin që Liverpuli bën me sulmuesit e tij. Për të shmangur që të na rrëmbenin topin dhe të administronin nisjen e lojës. E për më tepër, Mario Rui më i zgjeruar në të majtë, u krijoi jo pak probleme kundërshtarëve”, ka shpjeguar Anceloti. E duket se vendimi i marrë nga tekniku ka qenë një mënyrë, që ka shpaguar përderisa nuk erdhi asnjë gol nga treshja e frikshme e “Reds”-ave.
Fitorja e arritur në minutën e fundit e la skuadrën napoletane në garë për kualifikimin, duke qenë tashmë në krye të grupit me 4 pikë. Por mbi të gjitha solli një “injeksion” besimi: “E shoh cdo ditë skuadrën në stërvitje dhe mund të them se ndonjëherë nuk arrijmë të shprehim të gjithë cilësinë që kemi, vetëm se kemi pak ndrojtje. Ky sukses na ndihmon nga këndvështrimi psikologjik, si dhe për të qenë më të cliruar. Po, sepse ndonjëherë jemi tepër të shqetësuar. Mirëpo mbi të gjitha, na entuziasmon fakti që jemi të parët e grupit dhe në luftë të plotë për kualifikimin e mëtejshëm”.