Amir Rrahmani merr bekimin e trajnerit italian

Sport

Amir Rrahmani është lojtari më i ri me origjinë shqiptare që do të luajë në Serinë A gjatë sezonit të ardhshëm, përderisa vetëm pak ditë më parë firmosi me Veronën. Mbrojtësi i Kosovës, që ka qenë pjesë edhe e Kombëtares kuqezi, konsiderohet si një vlerë e shtuar për prapavijën e skuadrës së sapongjitur mes më të mirëve të futbollit italian. Edhe vetë tekniku i verdhebluve, kroati Ivan Juric ka folur për afrimin e Rrahmanit, i cili është për momentin përforcimi i parë i skuadrës së tij. “U zgjodh nga vetë drejtori sportiv Toni D’Amiko, por edhe me aprovimin tim. Mund të them se është i ri dhe plot karakter. është në gjendje të luajë në qendër, por edhe në krah të mbrojtjes, si dhe të mesfushës. Natyrisht vjen në një kampionat shumë të ëvështirë, por besojmë se kemi bërë një investim të mirë. Por s’do të jetë mbrojtësi i vetëm që do të afrojmë, sepse kërkojmë të tjerë”, deklaroi Juric në lidhje me kosovarin 25-vjecar, për të të cilin Verona është skuadra e pestë në karrierë, pas Drenicës, Partizanit, Hajdukut të Split dhe Dinamos së Zagrebit.


Një vlerësim pozitiv për Rrahmanin ka ardhur edhe nga ish-drejtori sportiv i Veronës, Mauro Gibelini, i cili njihet si zbulues i përpiktë talentesh. “Më ndodhi që ta vëzhgoja rastësish në një ndeshje të Dinamos së Zagrebit, ku kishte shkuar për të ndjekur Filip Benkovic, një mbrojtës që i pëlqente Interit. Por në fakt më bëri përshtypje pikërisht Rrahmani. Më pëlqeu, sepse përkundër të qenit robust fizikisht dhe aftësisë për të luajtur në ajër, gjithashtu është mjaft i shpejtë. Dhe kur tek një futbollist përmblidhen të gjithë këto karakteristika, atëherë do të thotë se është një lojtar i mirë”, ka treguar Gibelini, sipas të cilit e vetmja që lë paksa dyshime mbi Rrahamin është se nuk ka luajtur kurrë në Itali. Mirëpo fakti që e ka dashur me ngulm trajneri Juric, mund të favorizojë së tepërmi përshtatjen e tij me Serinë A.