Alvarez mposht Jacobs dhe unifikon titujt në peshën e mesme!

Sport

Saul ‘Canelo’ Alvarez është fituesi i përballjes së madhe me amerikanin Daniel Jacobs. Meksikani ka arritur një nga fitoret më të rëndësishme të karrierës së tij, pasi në këtë mënyrë ka unifikuar titujt kampionë në peshën e mesme. Alvarez e mori këtë triumfim falë vendimit unanim të gjyqtarëve. Në sfidën e zhvilluar në Las Vegas pati spektakël dhe një duel mjaft të fortë, aq sa publiku ishte mjaft konfuz se cili prej boskierëve meritonte fitoren. Por të tre gjyqtarët duket se ishin të një mendimi, teksa vlerësuan takimin me 115-113, 116-112 dhe 115-113 në favor të Alvarez.

Dueli nisi mirë për Alvarez, që në raundet e parë ishte më superior në ring, duke qenë dominues, por pa mundur dot të hedhë “KO” Jacobs. Kjo situatë zgjat deri në raundin e 8-të, kur Jacobs nis gradualisht të marrë masat dhe të reagojë, duke fituar raundet e mbetur. Sfida bëhet mjaft interesante në raundet e fundit, pasi Jacobs sheh se ka mundësi të përmbysë, por nuk ka më kohë. Canelo Alvarez korr suksesin nr.52 në karrierë, aty ku numëron edhe 1 humbje e 2 barazime. Ndërsa për Jacobs kjo është humbja e tretë në karrierë, ku numëron edhe 35 fitore.Tashmë ‘Canelo’ është kampion i padiskutueshëm i peshave të mesme, ndërsa fitimet e tij pas një triumfi e arritjeje të tillë do të shkojnë në kuota të paparë më parë në këtë sport. Meksikani mbrojti titujt e kategorive WBA Super, WBC dhe IBF, duke i rrëmbyer Jacobs titullin e kategorisë WBA Regular.