Titulli kampion është një detyrim për Juventusin në sezonin që po troket. I këtij mendimi është trajneri I Zonjës së Vjetër, Massimiliano Allegri. Në konferencën për mediat, numri një I pankinës bardhezi, ndër të tjera u shpreh se në Torino nuk mund të presin më gjatë sesa një sezon për t’u rikthyer tek titujt.
“Nuk kishte ndodhur për 10 vite radhazi që Juventusi ta mbyllte një sezon pa asnjë trofe. Pikërisht për këtë arsye, titulli kampion është një detyrim për ne në sezonin që vjen”, janë fjalët e takticienit livornez, I cili në këtë mënyrë ka dhënë një mesazh të qartë për të gjithë rivalët e tjerë të Serisë A.
Më tej, 54 vjeçari ka vlerësuar maksimalisht edhe merkaton e klubit. Afrimet e Di Marias, apo Paul Pogba, Allegri I quan të jashtëzakonshme. Po ashtu një konsideratë të veçantë ka edhe për përforcimin më të fundit të torinezëve, mbrojtësin Gleison Bremer. Për shtatlartin e prapavijës, trajneri në fjalë ka thënë në botë nuk gjenden shumë mbrojtës me tiparet e tij dhe zëvendësues më të mirë për Matthijs de Ligt nuk mund të kishte.
Sakaq, teksa Juventusi vijon me fazën përgatitore, drejtuesit e klubit po punojnë në merkato, me synimin për të vazhduar me përforcimin e organikës.