Shumë u fol se mund të merrte drejtimin e një tjetër skuadre evropiane, pas largimit të befasishëm nga Juventusit. Megjithatë, Massimiliano Allegri ka vendosur që të bëjë të paktën një sezon pushim, pasi e kishte të nevojshëm. Gjithsesi është kthyer edhe një herë të flasë për momentin që solli ndarjen e tij me “Zonjën e Vjetër”. “Nuk jam aspak i penduar për zgjedhjen e bërë me Juventusin. Në një raport, gjërat nuk duhen bërë të sforcuara. Pas 5 vjetësh kishte ardhur momenti për të marrë një pauzë. Ndoshta, presidenti e kishte kuptuar përpara meje, Sidoqoftë me Anjelin kemi ruajtur një marrëdhënie të mirë”, është shprehur fillimisht tekniku kampion i Italisë.
Sa i takon sezonit të saponisur, Allegri nuk nguron të parashikojë Interin si protagoniste. Sipas ish-trajnerit bardhezi, zikaltërit kanë ndërtuar një skuadër të fortë, ndërsa me Conten kanë bërë një zgjedhje me peshë në stol. Prandaj i kanë të gjitha mundësitë për të fituar titullin kampion.
Gjithashtu, Allegri e ka pasur të pamundur të mos flasë edhe për Cristiano Ronaldon. Ai i ka rrëfyer edhe sekretin e suksesit të një lojtar të kalibrit të tillë: “Forca e tij është në nivel psikologjik. Eshtë 35 vjec, ka fituar Champions, Evropian dhe Topin e Artë, por vijon t’i japë vetes stimuj të rëndësishëm që bëjnë diferencën. Teknika është themelore për të mbetur në nivele të lartë. Mirëpo ndryshimin e bëjnë mendja dhe prosionalizmi”, ka përfunduar Allegri, i cili tani që do të jetë pushim do të ketë më tepër mundësi të shikojë ndeshje, pasi përpara nuk i shihte kurrë.