Alisson, portieri që u transferua nga Roma te Liverpuli për shifrën rekord të 62.5 milionë eurove, i ka dhënë fund pushimeve, teksa zhvilloi stërvitjen e parë me shokët e rinj të skuadrës. Në një prononcim të parë për faqen zyrtare të klubit, ai u shpreh se “po ndihet menjëherë si në shtëpi”. Braziliani, që ka hyrë në histori si portieri më i shtrenjtë, i është bashkuar stërvitjeve të Liverpoolit në Evian të Francës, aty ku skuadra e Klopp do të qendrojë përreth 5 ditë, për të kryer përgatitjet, përpara startit të Premier League më 12 gusht.
“Pas disa ditëve pushimi me familjen, tashmë erdhi dita e madhe për mua. Doja të nisja sa më shpejt punën me skuadrën, ku besoj se do të hedh hapa përpara në karrierë. Menjëherë dita e parë e stërvitjes ishte fantastike! Tashmë mezi pres për të filluar sezonin e ri dhe unë dua të jem gati. Ishte vetëm fillimi me skuadrën dhe mund të them se jam ndjerë si në shtëpinë time”, ka thënë 25-vjeçari që pritet të zëvendësojë Loris Karius, protagonist i disa gafave jo vetëm finalen e Champions League, por edhe në miqësoret e deritanishme me liverpulasit.
Bashkë me portierin, në stërvitjen e “Reds” është bashkuar edhe Firmino, braziliani tjetër që vinte pas Botërorit. Të dy pritet të jenë pjesë e Liverpoolit për dy miqësoret e programuara deri në startin e kampionatit anglez. Fillimit, nënkampionët e Evropës do të luajnë të shtunën ndaj Napolit në Dublin, ndërsa të martën sfidojnë Torinon. Ndërsa të dielën e ardhshme do të jetë premiera zyrtare në “Anfield Road” kundër ëest Ham.