Alisson dëmtohet në ndeshjen e parë të ‘Premier’, Klopp i shqetësuar

Sport

Liverpooli e nisi njëjtë sikur e përfundoi sezonin e shkuar. ‘The reds’ vijojnë të fitojnë ndeshjet që luhen në ‘Anfield’, teksa Norëich u dorëzua që në pjesën e parë, kur pësoi 4 gola. Por fitorja 4-1 me Liverpoolit ka kaluar në plan të dytë për tifozët e kampionëve të Europës, pas dëmtimit që pësoi portieri Alisson Becker. Një nga pikat kyçe të sukseseve të Jurgen Klopp në sezonin e kaluar pësoi një dëmtim gjatë ekzekutimit të një rivënieje fundore, në atë që duket të jetë një problem muskular. Megjithatë tek Liverpooli janë të shqetësuar dhe trajneri Jurgen Klopp u përpoq të sqaronte gjendjen e gardianit brazilian. Tekniku gjerman shpjegoi se Alisson kishte ndjerë një goditje, çfarë sipas Klopp do të thotë se nuk kemi të bëjmë thjesht me një tërheqje muskulore.

Frika më e madhe e stafit të ‘the reds’ është ajo e problemeve me ligamentet, pasi do të thoshte që braziliani do të ishte jashtë fushave të blerta për një kohë të gjatë. Një raport i plotë rreth dëmtitmi të Alisson pritet të vijë ditën e hënë, kur stafi mjekësor i Liverpoolit të ketë kryer të gjitha analizat e nevojshme. Vendin e Alisson në sfidën me Norëich e mori blerja e kësaj vere, spanjolli Adrian. 32-vjeçari bëri paraqitjen e parë në ‘Premier League’ që nga maji i vitit 2018 dhe me gjasa do të jetë në mbrojtje të portës së Liverpoolit për disa ndeshje. E gjitha kjo situatë ndodh pikërisht një ditë pas mbylljes së merkatos në hyrje në Angli dhe në rast se dëmtimi Alisson është më serioz se sa mendohej, Liverpooli do të mbështetet vetëm tek Adrian sa i përket portës.