Alessandro Bastoni i premton besnikëri Interit.

Sport

Në prag të derbit të Milanos, mbrojtësi i qendrës ka folur rreth kësaj sfide historike, teksa ndër të tjera është shprehur se asnjëherë nuk do vishet me ngjyrat rivalëve të qytetit, Milanit.

“Nuk jam aspak i shqetësuar rreth të ardhmes sime. Jam shumë i qetë dhe nuk ka asnjë mundësi që unë të luajë për Milanin”, janë fillimisht fjalët e qendërmbrojtësit.

Më tej, djaloshi 22 vjeçar ka komentuar edhe duelin e 5 shkurtit mes të dyja skuadrave, që pritet të vendosë jo pak sa i përket titullit kampion këtë sezon në Serinë A.

“Derbi është një emocion që nuk thuhet dot me fjalë. Gjëja më e rëndësishme për ne është të mos mposhtemi. Shpresoj që Çalhanoglu të përsërisë vetveten, ashtu sikurse në derbin e shkuar të këtij sezoni”.

Interi deri më tani, ka bërë një ecuri të përkryer në kampionat, teksa në 22 ndeshje të luajtura, kryesojnë kampionatin me 53 pikë të grumbulluara dhe janë 4 pikë të shkëputur nga vendi I dytë, ndërsa kanë një ndeshje të prapambetur për t’u luajtur.

Për këtë situatë, Bastoni ka treguar formulën e kësaj ecurie të suksesshme. Sipas 22 vjeçaritështë shumë e rëndësishme që skuadra të mos humbasë pikë gjatë rrugës ndaj ekipeve të vogla, duke krijuar në këtë mënyrë diferencën me kundërshtarët.