Ndërkohë që thuajse në gjithë kontinentin Europian futbolli është pezulluar, tashmë prej disa javësh, të shumta kanë qenë aludimet si do të veprohet me pjesën e mbetur të ndeshjeve. Një prej dilemave të mëdha është edhe Premier League, aty ku Liverpool ka kryer një edicion fenomenal, kun ë 29 javë të luajtura, kryeson vendin e parë, me 25 pikë shkëputur nga ndjekësit e Manchester Cityt. Megjithatë, këto statistika nuk ia kanë siguruar ende matematikisht titullin kampion, ndërsa duhen ende maksimumi edhe 2 fitore të tjera.Në këto kushte nuk kanë munguar as komentet, që ky edicion në Premier League të ndërpritet përfundimisht, ndërsa gjithçka të fillojë nga e para vitin e ardhshëm futbollistik. Pra, pritja prej 30 vite e Liverpool për të fituar një kampionat, nuk do të përfundonte këtu. Gjithsesi, nuk është I këtij mendimi presidenti I UEFA-s, Aleksandër Ceferin, i cili në një prononcim të tij është shprehur se nuk e mendon dot që Liverpool të mos fitojë titullin kampion. “Nuk shoh një mënyrë që Liverpool të mos e fitojë titullin kampion. Gjithsesi, nëse ndeshjet nuk do të luhen, atëherë do të gjendet një mënyrë se si do të veprohet. Të them të drejtën, nuk e shoh një skenar që kampioni i Premier League të mos jetë Liverpool”, ka thënë ndër të tjera kreu I UEFA-s. Më tej, Ceferin, ka theksuar se është mjaft optimist edhe për kampionatet e tjera, sikurse është ai spanjoll, apo italian, do të përfundojnë me sukses.