Para se të ndesheshin të marën në Dortmund, Borusian dhe Barcelonën i bashkonte edhe historia me protagonistë Paco Alcacer dhe Osmane Dembele. Për spanjollin ishte një sfidë speciale, pasi në Katalunjë ka luajtur për 2 sezone, duke mos ia dalë të përjetojë dot atë që po bën në Dortmund, ku u huazua në verën e 2018-s. Dhe u largua ekzaktësisht pasi në “Kamp Nou” erdhi Dembele dhe spanjollit iu tha se minutazhi i aktivizimit të tij do të ngushtohej. Klima gjermane dha menjëherë efekt për 26-vjecarin, i cili tregoi ‘stofin’ e vërtetë. Vetëm 4 ndeshje të Bundesligës i mjaftuan për të shpërthyer dhe për të bindur drejtuesit verdhezi, që ta blinin në shkurt për 23 milionë euro. Në një proncim të ditëve të fundit, Alcacer e pranoi se në Barcelonë ishte e vështirë për të, “edhe për shkak të disa njerëzve në klub që e pengonin”. Në Dortmund vazhdon të tregojë forcën e tij, pasi edhe në sezonin aktual ka shënuar 7 herë në 6 ndeshje, pa llogaritur edhe 2 gola me Spanjën. Me siguri që do të kishte pëlqyer të merrte një farë revanshi ndaj Barcës, edhe për t’i treguar trajnerit Valverde se bëri keq që nuk e mori shumë në konsideratë përpara 3 vjetësh.
Mirëpo kushedi sa është penduar edhe Barcelona që e sakrifikoi për një si Dembele’. Që kur erdhi për mbi 100 milionë euro nga Dortmundi, francezi s’ka përmbushur pritshmëritë në një prej klubeve më të mëdha. Për më tepër që ka shkelur disiplinën në disa raste, duke shkuar me vonesë në stërvitje. Pa harruar edhe problemet e shpeshta fizike. Kjo e ka bërë të mos jetë pjesë fikse e formacionit të Valverdes. Jo më larg se para pak ditësh, Kevin Prince Boateng (ish-shok skuadre) e ka përkufizuar “si një fëmijë, i cili fiton një mal me para'”. Dembele është 22 vjeç, 6 më pak se Ansu Fati, i cili mund të konsiderohet si sensacioni i momentit te Barça. Adoleshenti afrikan, prodhim i kanteras, ka realizuar 2 gola në 116 minuta aktivizim me katalanasit, duke bërë që në “Kamp Nou” të zbulojnë një talent për të cilin ka filluar të flitet shumë. Me shpresën që të mos “digjet” që tani e t’i ngjalë Dembelesë. Por, pse jo, të bëhet sadopak si Alcaceri, kur vjen puna te golat.