Jo se nisi për mrekulli. Megjithatw, tashmë grumbullimi i kombëtares së Shqipërisë në prag të dy sfidave të para në eliminatoret e Euro 2020 kundër Turqisë dhe Andorrës rrezikon të kthehet në një makth të vërtetë. Armado Sadiku alarmon skuadrën kuqezi dhe shton dhimbjen e kokës për Kristian Panuçin. Sulmuesi ka lënë përgjysmë seancën stërvitore për shkak të një problem muskulor.
I kthyer pas një dëmtimi të gjatë, Sadiku shihej si një zgjidhje për repartin ofensiv, por aktivizimi i tij në sfidën e së premtes është në dyshim. Priten teste të tjera për të mësuar shkallën e problemit fizik.Sulmuesi startoi seancën stërvitore me ushtrimet e nxehjes si dhe bëri disa vrapime rreth fushës, por më pas u tërhoq nga pjesa tjetër e skuadrës që vijoi normalisht përgatitjet.Mungesa e Sadikut do të ishte një goditje e madhe për kombëtaren shqiptare, pasi Panuçit I mbetet vetëm Bekim Balaj si alternativë në vijën e parë të sulmit.