Al-Khelaifi i ngopur me ‘tekat’ e yjeve të skuadrës, paralajmërohen largime

Sport

Sjelljet dhe ‘tekat’ e yjeve të PSG tashmë nuk do të tolerohen më nga ana e klubit. Është vetë presidenti i kampionëve të Francës, Nasser al-Khelaifi që ka deklaruar se nga sezoni i ardhshëm, nuk do të anashkalohet asnjë sjellje apo veprim që cënon figurën e klubit. Sipas tij, fakti që ai dhe drejtues të tjerë të skuadrës janë përpjekur t’i zgjidhin gjërat me diplomaci, ka bërë që shumë prej lojtarëve të ekipit të kenë një sjellje jo pak arrogante, të cilat herë pas here janë reflektuar edhe në fushë. Për këtë u rikujtua episodi i vitit 2018, kur Neymar dhe Cavani debatuan ashpër në fushë për goditjen e një penalltie.

“Nuk do të tolerohen më këto sjellje prej ylli. Gjërat do të ndryshojnë. Lojtarët duhet të punojnë më shumë dhe të flasin më pak. Është momenti që të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre.”

Sipas raportimeve në mediat franceze, presidenti Al-Khelaifi është i zemëruar edhe me problemet fizike të shpeshta të lojtarëve siç është rasti i Neymar. Ky ndryshim në qëndrimet e drejtuesve të klubit francez vjen menjëherë sapo në detyrë si drejtor sportiv vjen Leonardo. Madje Al-Khelaifi shkoi deri aty sa tha që pa bërë asnjë diferencë, kushdo që nuk mund t’i përshtatet rregullave të klubit, e ka derën të hapur për t’u larguar pa patur asnjë pengesë. Deklarata të forta këto që shtojnë spekulimet se largimi i lojtarëve si Neymar, Cavani apo Mbappe është diçka mëse e mundshme.