Agron Kuka, kryetari i Federatës Kosovare të Xhudos, ka reaguar ndaj akuzave të Agjencisë Franceze të Anti-dopingut, se xhudistja kosovare Majlinda Kelmendi ka refuzuar të bëjë një kontroll të dopingut dy muaj para Lojërave Olimpike.
Pasi lajmi është përhapur shumë në mediat botërore, ka qenë gazeta e njohur britanike “The Guardian” që ka kontaktuar kryetarin e federatës, njëkohësisht vëllain e trajnerit të përfaqësueses kosovare, Agronin.
“Nuk e kuptoj arsyen përse po e bëjnë të madhe këtë punë. Nuk ka asnjë shpjegim”, ka thënë fillimisht Kuka për The Guardian, i habitur me lajmin e publikuar disa orë më parë në mediat franceze, italiane dhe spanjolle.
“Skuadra ishte në kampin stërvitor në Francë dhe disa persona vijnë dhe pyesin për të bërë një kontroll doping. Por personi i përfshirë nuk kishte autorizim nga Wada [Kontrolli Anti-doping Botëror] ose dikush tjetër. Dhe ky është fundi i kësaj çështje.
Ekipi i Kosovës ishte në kontakte gjatë gjithë kohës me IFJ-në sepse ne nuk mund t’i japim gjakun apo urinën dikujt që nuk është përgjegjës për këto punë. Kjo është e gjithë çështja, dhe asgjë më shumë”, tha Kuka, raporton Insajderi.
Siç shkruan sot revista e njohur franceze e xhudos “L’Espirit Judo”, fituesja e medaljes së artë në kategorinë nën 52 kilogram, Majlinda Kelmendi kishte refuzuar të bënte kontrollet e dopingut në Francë para dy muajve dhe si pasojë i është ndaluar konkurrimi në Francë nga ana e Agjencisë Anti-doping të Francës.