Deri te enjten ngjante shumë pranë transferimit tek Lecce. Por në orët e fundit, drejtimi i Arlind Ajetit ka ndryshuar. Bëhet fjalë sërish për një skuadër të Serisë B, por që është Peruxhia. Sipas informacionit të përcjellë nga Tuttomercatoëeb, klubi umbër ka arritur të sigurojë mbrojtësin shqiptar, që ishte jashtë planeve të Torinos. Për Ajetin do të ketë kështu një zbritje në kategori, por që duket se ai e ka pranuar, duke dashur të mos lëvizë nga Italia. Peruxhia është klubi i katërt italian për mbrojtësin 24-vjecar, pas eksperincave me Frozinonen, Torinon e Crotonen. Te Peruxhia ai do të jetë nën drejtimin e një ish-kampioni bote me Italinë, si Alessandro Nesta, i cili me siguri do të ketë se çfarë t’i mësojë Ajetit.
Gjithashtu, një tjetër futbollist në xhiron e përfaqësueses së Panuccit, si Armando Vajushi, bëhet gati të ndërrojë ambient, përderisa nuk sheh hapësira në radhët e Pro Verçelit, skuadër që do të luajë në Serinë C. Mesfushori sulmues u aktivizua tek Avelino në huazim gjatë muajve të fundit të sezonit të kaluar. Por duke qenë në pronësi të Pro Verçelit, u rikthye në bazë me fillimin e përgatitjeve për sezonin e ri. Tashmë, ky klub ka vendosur të bëjë shkurtime të mëdha sa u përket shpenzimeve dhe pjesë e “skartimeve” do të jetë edhe futbollisti shkodran. Sipas mediave italiane, në gjurmët e Vajushit është një tjetër klubi i Serisë C, Ternana. Por sinjalizohet edhe një interesim nga Grasshopers në Superligën zvicerane, që është vënë në ndjekje të futbollistit shqiptar dhe kërkon transferimin e tij. Sipas asaj që ka bërë me dije faqja “Tuttomercatoëeb”, përfaqësuesit e klubit dhe atij zviceran kanë takim me menaxherin e tij, Sokol Haxhia, për të bërë vlerësimet e duhura, se cili do të ishte destinacioni më i përshtatshëm për një lojtar që është shoqëruar shpesh nga dëmtimet në sezonet e fundit.