Arlind Ajeti është pjesë e një renditjeje speciale në Serinë A. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, i cili luan me Krotonen, krenohet me faktin që deri tani në kampionat italian ka mesataren më të lartë të vlerësimeve të bëra nga shtypi sa i takon lojtarëve të prapavijës. Por vetëm për ndeshjet që skuadra siçiliane ka luajtur në fushën e vet. Pikërisht, mbrojtësi kuqezi kryeson listën e “Top-10” mbrojtësve më të vlerësuar, duke lënë prapa emra si Benatia të Juventusit, apo Skriniar të Interit.
Ajeti ka qenë jo shumë i aktivizuar në qendër të prapaviojës gjatë muajve të parë të këtij viti 2018 duke qenë për 90 minuta në fushë vetëm kundër Milanit. Mirëpo me ardhjen e Valer Zengës në drejtimin e Krotones, trajneri i ri i ka ndërruar rol, duke e aktivizuar së fundi si mesfushor përpara mbrojtjes. Në ndeshjen e fundit të humbur me SPAL, Ajeti qendroi në stol. Por në takimet e mëpërshme ndaj Beneventos dhe Atalantës, luajti në pozicionin ku duket se Zenga e sheh si elementin e përshtatshëm. Megjithëse, fatkeqësisht skuadra nuk ka marrë rezultate të mira. Sidoqoftë, duke parë mungesat që do të ketë Krotone në mesfushë, Ajeti pritet ta nisë titullar ndeshjen e kësaj fundjave, në shtëpi kundër Sampdorias. Me shpresën që do të vazhdojë të marrë sërish vlerësime të larta. Por mbi të gjitha, që edhe Krotone të rikthehet te sukseset.