Ajeti bën dopietë me Bazel, pretendent për trofe në Zvicër

Sport

Albian Ajeti

Sulmuesit nga Kosova, Albian Ajetit, i mjaftuan 22 minutat e fundit që të shënoi dy gola për fitoren e thellë të Bazelit, me rezultat 6:1 kundër Thunit në javën e 32-të të Superligës zvicerane. Kjo fitore nuk pengoi shkurorëzimin e kampionëve në fuqi, përderisa titulli këtë vit shkoi tashmë edhe matematikisht në duart e Jang Bojsit.
Duke u kthyer tek Ajeti, ai u aktivizua si zëvendësues prej minutës së 68-të, teksa dy golat i realizoi në minutat e 75-të dhe të 86-të sfidës, duke rrumbullakosur rezultatin përfundimtar të takimit. Albiani, vëllai i Arlindit, mbrojtësit të Kombëtares shqiptare, me dy golat e shënuar shkon në kuotën e 12 golave në kampionat, vetëm dy më pak sesa vendi i parë. E në këtë mënyrë është një pretendent për të fituar trofeun e golshënuesit më të mirë në Zvicër.
Ndërkohë, futbollistët kosovarë Toni Domgjoni e Izer Aliu luajtën titullarë për Zyrihun që barazoi 3:3 me Sionin e Ermir Lenjanit, po ashtu i aktivizuar për 90 minuta. Aliu u zëvendësua në minutën e 83-të, kurse Lenjani në atë të 88-tën. Ky barazim e largoi edhe një pikë Sionin nga Lozana e vendit të fundit. Ndërkohë që mbetet gjithçka e hapur sa i takon luftës për mbijetesë, kur kanë mbetur edhe 4 javë deri në mbyllje të kampionatit zviceran.