Ajax-Tottenham, a do të dobësohen holandezët nga Ramazani?

Sport

 

Në gjysmëfinalen e së mërkurës në Champions League midis Ajaxit dhe Tottenham mund të ndikojë edhe Ramazani, muaji i agjërimit për myslimanët që ka nisur këtë të hënë dhe vjen pikërisht në një periudhë vendimtare për kompeticionin më prestigjoz për klube në Evropë. Kështu holandezët mund të vijnë disi më të dobësuar në këtë përballje të kthimit, pasi duhet të bëjë llogaritë me vendimin e marokenëve Ziyech dhe Mazraoui, të cilët i kanë komunikuar klubit dhe trajnerit Ten Hag se duan të respektojnë këtë rregull të besimit të tyre. Me pak fjalë, kjo do të thotë se të mërkurën në “Johan Cruyff Arena të Amsterdamit, dy lojtarët e skuadrës nga Amsterdami do të zbresin në fushë agjerueshëm, pra pa mundur dot të ushqehen apo të shuajnë etjen deri në perëndimin e diellit, saktësisht 18 minuta para vërshëllimës së parë të takimit kundër “Spërs”-ave, që ndoshta mund të jenë disi më të avantazhuar në këtë drejtim, pasi në radhët e tyre nuk kanë asnjë lojtar që agjëron.

Megjithatë, vetë 21-vjeçari Mazraoui ka deklaruar se është i bindur që agjërimi nuk do të ndikojë në paraqitjen e tij. “Përkundrazi unë ndihem mjaft energjik përgjatë Ramazanit. Nuk e ndiej fare lodhjen kur luaj futboll. Nëse do të luaj të mërkurën, mund të pij dicka përpara ndeshjes që fillon në ora 21:00, disa minuta pas mbylljes së agjërimit. Kështu nuk do të kem asgjë problem”, është shprehur marokeni.Ajax kërkon të arrijë në një finale të Champions League për herë të parë që prej vitit 1996, kurse Tottenhemi dëshiron ta prekë për herë të parë. Megjithatë, anglezët duhet të përmbysin humbjen 0-1 ndeshjes së parë në fushën e tyre. Në krahasim me takimin e javës së kaluar, “Spërs” do të kenë një armë plus si koreani Son, i cili rikthehet pas pezullimit. Ndërkohë që deri përpara këtyre gjysmëfinaleve ka qenë një nga lojtarët më në formë të Tottenhamit.