Një nga talentet më të përfolur në Holandë, Justin Kluivert konfirmon zërat se gjatë verës do të largohet nga Ajax. Djali i legjendës Patrick Kluivert me paraqitjet e tij këtë sezon ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdha në Evropë, të cilët janë të gatshëm të shpenzojnë shuma të konsiderueshme parash për të marrë shërbimet e 19-vjeçarit. Të gjendur në një situatë të tillë, drejtuesit e Ajax i kanë ofruar një kontratë rinovimi të riut, që më shumë se sa për ta mbajtur në skuadër, vlen për klauzolën dhe përfitimet ekonomike të klubit holandez. Diçka e tillë nuk i ka pëlqyer shumë Justin Kluivert, që ka refuzuar ofertën e skuadrës nga Amsterdami.
Kjo është padyshim dhe shenja finale se futbollisti ka vendosur të largohet nga skuadra. Sipas drejtorit të Ajax, Edwin van der Sar, është agjenti i lojtarit që po ndikon kaq shumë në vendimin e tij, diçka kjo e besueshme kur kupton se agjenti në fjalë është një emër i njohur i fushës si Mino Raiola. Nga ana tjetër, 19-vjeçari Kluivert është shprehur se nuk i ka pëlqyer sjellja e klubit të Ajax-it ndaj tij. Ai mendon se oferta e rinovimit është bërë vetëm për të rritur klauzolën dhe se drejtuesve nuk u intereson nëse ai qëndron apo jo, por kërkojnë të përfitojnë sa më shumë nga shitja e tij.