Ajaksi shkarkon trajnerin

Sport

Ndonëse ishte e vlefshme deri në verën e 2026-tës, aventura e trajnerit Alfred Schreuder në krye të Ajaksit, ka zgjatur vetëm 6 muaj. Pas barazimit 1-1 me Volendam në shtëpi, drejtuesit e klubit kanë marrë vendimin e menjëhershëm për të ndërprerë marrëveshjen me hollandezin, pasi kanë humbur besimin në menaxhimin e tij.

Kampionët në fuqi të Eredivise po kalonin një moment mjaft të ndërlikuar përgjatë kohëve të fundit. Si për ta konfirmuar këtë, mjafton të përmendim këtu që fitorja e tyre e fundit në kampionat është regjistruar në 22 Tetor të vitit të shkuar, me rezultatin 4-1 në transfertë ndaj Waalwijk.

Gjithashtu duhet theksuar se nën udhëheqjen e Alfred Schreuder, Ajaksi pati një paraqitje mjaft të dobët këtë sezon edhe në Champions League, teksa nuk arriti të kualifikohej dot përtej Grupit A, por u rendit në vendin e 3-të, me vetëm 6 pikë, pas Napolit dhe Liverpool me 15 pikë.

Mirëpo jo vetëm kaq. Përveçse ndërpreu rrugëtimin në Champions këtë sezon, Ajaksi rrezikon gjithashtu që të mos marrë pjesë në turneun më prestigjoz të klubeve as në edicionin e ardhshëm. Si pasojë e rezultateve jo të qëndrueshme, Ajaksi renditet në vendin e 5-të në kampionat, me 34 pikë në 18 javë, 7 më pak sesa Feyenoord që udhëheq klasifikimin.

Alfred Schreuder e mori drejtimin e Ajaksit 6 muaj më parë, dukë zënë vendin e Erik Ten Hag, por aventura e tij në “Johan Cruijff Arena” zgjati vetëm një gjysmë sezoni.