Manchester City shkatërroi në transfertë ekipin e Aston Villas me rezultatin 6-1, në një takim ku ylli i mbrëmjes ishte padyshim Sergio Aguero. Sulmuesi argjentinas realizoi një tripletë, që e çon në 177 numrin e golave të shënuar prej tij në ‘Premier League’. Ka qenë një natë rekordesh për 31-vjeçarin, i cili tashmë është bërë edhe sulmuesi i huaj që ka realizuar më shumë gola në ‘Premier League’-ën angleze. Në këtë aspekt, Aguero kaloi një emër të madh si Thierry Henry, i cili ishte ndalur në realizimin e 175 e golave. Henry e pati arritur diçka të tillë në 258 ndeshje, teksa sulmuesit të Manchester City i nevojiteshin 3 ndeshje më pak. Argjentinasi tashmë ka barazuar Frank Lampard sa i përket golashënuesve më të mirë të historisë së ‘Premier League’-ës. Përpara tij, qëndrojnë vetëm 3 emra të tjerë, Andrew Cole, Wayne Rooney dhe Alan Shearer, me këtë të fundit që ka rekordin absolut me 260 gola. Megjithatë, Aguero e ka mundur që tani Shearer në një statistikë tjetër. Ndaj Aston Villas, sulmuesi i City-t kompletoi tripletën e tij të 12 që nga momenti që u transferua tek ‘citizens’.
Pikërisht Alan Shearer mbante rekordin në këtë aspekt, me 11 tripleta. David Silva asistoi golin e 2 të Agueros dhe të pestin për Manchester City-n. Kjo ishte hera e 21-të që Silva asiston argjentinasin në një ndeshje të ‘Premier League’-ës. Vetëm dyshja Lampard-Drogba kanë bërë më mire, me trajnerin aktual të Chelsea-t që ka asistuar në 24 gola të Drogba. Një nga ata që la shenjën e tij në triumfin ndaj Manchester City ishte edhe Gabriel Jesus. Braziliani e niste si titullar me fanellën e City-t për herë të 76. Në total, sa herë që sulmuesi ka nisur një sfidë me ‘citizens’ në të gjitha kompeticionit, ka patur kontribut direkt në 71 gola, ku 54 i ka shënuar vetë dhe 17 të tjera i ka asistuar. Gjithësesi, triumfi me rekorde i skuadrës së Pep Guardiolas nuk ndryshon situatën në renditjen e ‘Premier League’-ës, ku ‘citizens’ vijojnë të ndjekin me një distancë të konsiderueshme kryesuesit e Liverpool.