Agolli tregon ndjesitë e debutimit në futbollin amerikan!

Sport

Më në fund, Ansi Agolli bëri debutimin e shumëpritur në kampionatin amerikan të futbollit, duke zbritur në fushën e lojës me fanelën e Nju Jork Kozmos. Dhe i solli fat ekipit të tij të ri, që arriti të fiksojë një sukses 2-0 kundër Nju Jork Atletik. Bëhej fjalë për një ndeshje të ligave të ulëta amerikane, por që për Agollin ishte gjithsesi një përgjegjësi dhe një emocion i veçantë. “Sigurisht përjetova një përvojë pozitive, edhe sepse ishte ndeshja ime e parë me Nju Jork Kozmos. Isha pak i emocionuar para sfidës, sepse për mua Kozmos nuk është vetëm një fanellë, por mbi të gjitha është një përgjegjësi. Pas emocionit para ndeshjes, çdo gjë shkoi siç duhet. Jam i lumtur që morëm një rezultat të mirë”, deklaroi mbrojtësi shqiptar, pas fitores.


Agolli u aktivizua kryesisht si anësor ofensiv në mbrojtje, duke treguar se nuk e ka humbur aspak ritmin dhe kontributin që ka dhënë gjithmonë në ndihmë të fazës sulmuese. “Kam luajtur edhe më parë kështu. Kur kam mundësinë të ndihmoja në sulm ekipin, unë dal sa gjej hapësirë. Por nuk është e lehtë të marrësh maksimumin që në ndeshjen e parë. Ky është një sezon i gjatë”, u shpreh Agolli për eksperiencën e tij amerikane. Në stadiumin e vogël të Nju Jork ku u luajt ndeshja, ra në sy fakti që kishte pak më tepër se 3000 tifozë. Një shifër që mund të duket e ulët. Por jo për amerikanët, të cilët e kanë vlerësuar këtë si një prani të kënaqshme tifozësh. Megjithatë, Agolli pret më shumë, sidomos nga komuniteti shqiptar në Nju Jork. “Kam nisur kontaktet më ta dhe janë shumë interesantë. Ata ishin edhe në ndeshjen tonë, ndërsa kisha edhe disa familjarë në stadium. Por shpresoj që në ndeshjen e ardhshme të ketë shumë më tepër mbështetës shqiptarë”, përfundoi Agolli.