Javën e kaluar, mediat italiane raportuan se në Milano ka pasur një takim kokë më kokë mes presidentit të Veronës, Mauricio Seti dhe drejtuesve të klubit interist. Zikaltërit kanë prioritet 3 futbollistë nga skuadra e Veronës, mes të cilëve dolën edhe emrat e dy mbrojtësve Marash Kumbulla e Amir Rrahmani. Ata të dy duket se janë kthyer në objektiv për klubin zikaltër që në vitet e fundit ka investuar jo pak në futbollistët e rinj në moshë. Mes Rrahmanin dhe Kumbullën, drejtuesit shpresojnë të gjejnë pasardhësin e Milan Skriniar, i cili mund të shitet për shuma të konsiderueshme, duke qenë se kërkohet nga skuadra si Real Madrid. Faktin që Marash Kumbulla është objektiv edhe për klubin zikaltër e ka konfirmuar agjenti i tij, Gianni Vitali. “Nuk ka ndonjë të re në lidhje me interesimin e Interit për Kumbullës. Të paktën unë nuk kam pasur ndonjë kontakt direkt nga ana e drejtuesve zikaltër. Por di të them se Interi po e ndjek lojtarin që prej fillimit të sezonit. Secili do të bëjë vlerësimet e veta, siç e drejtë të jetë. Por është një mbrojtës, që kërkohet nga klube të shumta italiane dhe evropiane”, ka thënë fillimisht agjenti. Ai ka theksuar se nga këndvështrimi teknik, Kumbulla do të ishte gati për të luajtur në mbrojtjen e Interit. Por i pyetur se çfarë vlerësimi në euro ka arritur kartoni i lojtarit, ka dashur të sqarojë se bëhet fjalë për një pyejtje që i duhet drejtuar Veronës, konkretisht presidentit dhe drejtuesve të tjerë të klubit verdheblu.