Agjenti i Hysajt zbulon se ku do të shkojë shkodrani

Sport

Ndryshe nga sa u fol pak ditë më parë, Elseid Hysaj nuk gjasa të qëndrojë te Napoli këtë sezon. I qartë mbi këtë ka qenë agjenti i tij, Mario Giuffredi, sipas të cilit, koha e mbrojtsit shqiptar në “San Paolo” mund të quhet e përfunduar. Klube si Atletico Madridi, Tottenhami, Juventusi dhe Roma janë të interesuara, por askush nuk ka ofruar 25 milionë euro e kërkuara nga Napoli për të shitur lojtarin. “Do të shkoj këto ditë në qendrën stërvitore të Dimaros, për të diskutuar me drejtuesit e Napolit situatën e transferimit të Hysajt. Ai ka pak gjasa të qëndrojë me skuadrën e Ancelottit. Prandaj ne do të punojmë deri në fund të verës për ta dërguar te një klub tjetër, pasi Napoli aktualisht ka 4 mbrojtës krahu në skuadër” zbuloi agjenti në një prononcim për “Radio Marte”. Ndër të tjera, Giuffredi ka thënë se shkodrani vjen nga një sezon jo i mirë dhe ka nevojë për një ringritje. Teksa nuk ka dashur të flasë për çmimin e caktuar nga Napoli, që deri tani ka frenuar skuadrat e interesuara, me në krye Atleticon e Madridit. “Klubi e di që lojtari dëshiron të largohet. Atletico u ofrua dhe ne diskutuam me ta për gati një muaj. Por oferta e bërë ishte më e ulët sesa ajo që kërkonte Napoli. Prandaj, spanjollët preferuan të marrin Kirian Trippier”, vijoi Giuffredi.

 

Fundi i merkatos pritet të jetë edhe fundi i telenovelës “Hysaj”. Megjithëse sipas asaj që raportohet së fundi nga mediat italiane, lojtari preferon Romën. Kështu, agjenti Xhufredi ka pasur këto ditë kontakte të vazhdueshme me klubin verdhekuq, që me shumë gjasa pritet të jetë destinacioni i ri i mbrojtësit shkodran, i cili pëlqehet edhe nga trajneri Fonseka. Portugezi e sheh Florencin më tepër si anësor të mesfushës, prandaj ka kërkuar Hysajn për krahun e djathtë të mbrojtjes.