Agjencia Ndërkombëtare Antidoping i heq pezullimin prej 3 vitesh Rusisë

Sport

antidoping

Me një vendim goxha të kontestuar Agjencia Ndërkombëtare Anti-Doping i hoqi këtë javë sportit rus pezullimin prej 3 vitesh që i kishte vënë më parë. Nëntë nga 12 anëtarët e komitetit ekzekutiv të Agjencisë votuan pro këtij vendimi, ndërsa në disa deklarata për shtyp ata kanë njoftuar se kjo lëvizje lehtësuese është marrë pas premtimit se shteti rus do t’i mundësojë agjencisë të gjitha të dhënat e mbajtura nga Ministria e Sportit. Një nga skandalet më të mëdha të sportit nisi pas dhjetorit të vitit 2014 kur një dokumentar hulumtues i një televizioni gjerman pretendoi se 99% e atletëve rus dopoheshin sistematikisht. Këto pretendime u kaluan në disa kontrolle të një-pas-njëshme nga Agjencia Ndërkombëtare e Anti-dopingut, por do të duheshin rreth dy vite kur ish-analizuesi i mostrave të Agjencisë ruse, Grigory Rodchenko të dilte hapur duke rrëfyer krejt sistemin e dopingut shtetëror.

o VITALY MUTKO facebook e1447085241364

Ky skandal çoi më tej në pezullimin e qindra atletëve, dhe të vetë përfaqësueseve ruse për rreth 3 vite. Atletët rus të cilët provuan pastërtinë e tyre u lejuan të merrnin pjesë në Lojërat Olimpike apo dhe në lojërat dimërore, por nën flamur neutral. Nga ana e tyre rusët e patën mohuar kategorikisht këtë akuzë, por sikurse ka pretenduar Sir Craig Reedie, anëtar i komitetit ekzekutiv, tashmë gjërat kanë ndryshuar dhe pas këtij lëshimi nga Agjencia Ndërkombëtare e Anti-Dopingut, çdo gjë mund të shkojë drejt normalizimit. Por ajo që nga Agjencia po quhet normalizim, nga sportistët e pastër po konsiderohet si tradhëti, madje si një shkelm i fortë për ndershmërinë në sporte.