Afrimi i ‘Neuerit të ri’ shqetëson atë ‘të vjetrin’ te Bayern

Sport

Prej 7 sezoneve në Gjermani është aktual dominimi i Bayern Mynih, që zakonisht arrin të rrëmbejë edhe lojtarët më të mirë të Bundesligës, për të thyer sa më shpejt konkurrencën. Rasti më i fundit është ai i Alexander Nubel, portieri i Schalke 04. Bavarezët e kanë marrë që tani për sezonin e ardhshëm 2020-2021. Ishte një lëvizje e domsdoshme për të mposhtur konkurrentët e interesuar për Nubel, i cili është në skadencë të kontratës me klubin aktual dhe konsiderohet si paradhësi i Manuel Neuer, që njësoj si ai i vjetri 9 vjet më parë, ka shpëthyer te Schalke 04. Aty ku me të marrë vesh akordin me Bajernin, i hoqën menjëherë shiritin e kapiteni.
Gjithashtu, 23-vjeçari Nubel gëzon edhe 17 ndeshje me Gjermaninë U-21 dhe një vend të dytë të arritur në Evropianin e fundit të kësaj kategorie. Te Bajerni, ku fillimisht pritet të ketë rotacion me Neuer, mund të rritet edhe më shumë nga idhulli i tij, për t’u përgatitur më së miri që t’i zërë vendin në të ardhmen e afërt.
Kjo lëvizje e bavarezëve sa i takon Neuerit të ri duket se ka shqetësuar jo pak Neuerin e vjetër, pasi “skeptri” i numrit 1 mund të vendoset në diskutim. Të paktën për këtë janë të bindur njerëzit nga brenda klubit të Bajernit. Megjithëse vetë portieri në një dalje të fundit përpara mediave, të paktën publikisht, ka dashur ta përshëndesë ardhjen e talentit të ri në portën e kampionëve të Gjermanisë. “Nubel është një portier me cilësi të mëdha. Një ditë, e ardhmja do t’i takojë atij. Por ky transferim nuk ndikon aspak në mundësitë e zgjatjes së kontratës time”, ka sqaruar 33-vjecari i portës së Gjermanisë dhe Bajernit, i cili ka një marrëveshje deri në 2021-shin me bavarezët. Gjithsesi, Neuer ka dashur të theksojë se ai do të vazhdojë të jetë numri 1 dhe si gjithmonë protagonist, prandaj nuk ka ndërmend të jetë një aktor dytësor te skuadra 29 herë kampione e Gjermanisë.