Teksa në pak ditë dilte në treg si lojtar me parametra zero, Adrien Rabiot ka rinovuar zyrtarisht kontratën me Juventusin.
Pavarësisht ofertave të ndryshme, sidomos nga klubet angleze, si Manchester United dhe Neëcastle, Rabiot i ka thënë “po” propozimit të Zonjës së Vjetër.
Ashtu sikurse ishte përcjellë nëpërmjet mediave italiane francezi ka rinovuar edhe për një tjetër sezon, deri në verën e 2024-tës, kontrataë nga e cila do të përfitojë 7 milionë euro, plus 3 të tjera në formën e bonusit.
Ndonëse Juventusi nuk do të marrë pjesë në Champions League, Rabiot është bindur gjithësesi të mbetet bardhezi për faktin se në edicionin që vjen, nën urdhërat e Massimiliano Allegrit, Juventusi do të tentojë të garojë për titullin kampion, një sfidë kjo që mendohet të ketë mbajtur të karikuar të gjithë ambientin bardhezi.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, atëherë verën e ardhshme, nuk përjashtohet mundësia që Rabiot dhe Juventus të dikutojnë një tjetër rinovim.
Në edicionin që lamë pas, atë 2022/23, Rabiot u shfaq në një formë të shkëlqyer. Ai luajti 48 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar 11 gola në total, e po ashtu dha një kontribut prej 6 asistesh.
Vendi i tij në formacionin e trajnerit Massimiliano Allegri duket i padiskutueshëm, teksa në edicionin që vjen, pritet të marrë një rëndësi edhe më të madhe. Në total me Juventusin, Rabiot ka luajtur 177 ndeshje në të gjitha kompeticionet.