Adrian Ismajli tregon ëndrrën e madhe

Sport

Qendërmbrojtësi i kombëtares shqiptare, Ardian Ismajli nuk ka dashur të fshihet aspak, kur ka deklaruar hapur për mediat kroate se ëndrra e tij e madhe është që të luajë në Bundesligën gjermane. Ka qenë vetë lojtari aktual i Hajdukit të Split që e ka pranuar këtë, teksa në një farë mënyrë 22vjeçari ka lëshuar mesazh të qartë për skuadrat gjermane se në merkatot e ardhshme është gati të mirëpresë ofertët që do t’i vijnë veçanërisht nga Gjermania. “Dëshira ime e madhe është të aktivizohem në Bundesligë. Gjithsesi, tani vazhdoj të jem pjesë e kampionatit në Kroaci dhe dua të jem i përqendruar për të dhënë më të mirën timë. Madje kam zgjatur edhe kontratën me Hajdukun, që është një nga ekipet më të mira në Ballkan. Synojmë të sigurojmë një nga vendet që na dërgon në Champions League. Me pas, do të mendoj për të ardhmen, pasi synoj të luaj në një kampionat më të fortë”, është shprehur Ismajli.

Mbrojtësi i formuar te skuadra e 2 Korrikut debutoi në futbollin e madh me Prishtinën në vitin 2015-2016. Përmes paraqitjeve të bëra, ai arriti të tërheqë vëmendjen e Hajduk, që e ka pjesë të saj prej 3 sezonesh. Pikërisht në radhët e kroatëve, Ismajli ka shënuar 2 gola në 50 takime të luajtura, duke u bërë një nga pikat kyce. Me kombëtaren shqiptare, Ismajli u bashkua pasi u aktivizua fillimisht në radhët e Kosovës. Deri tani me fanelën kuqezi, ai ka qenë një nga befasitë e mëdha, duke zënë menjëherë një hapësirë të rëndësishme në prapavijë.