‘Adidas’ ndihmoi klubin për të mos lejuar largimin e Pogba

Sport

Paul Pogba pritej të transferohej larg Manchester United, pasi mesfushori francez e kishte shprehur hapur dëshirën për të vijuar karrierën diku tjetër. Madje shumë media e bënin thuajse të sigurt kalimin gjatë kësaj vere të Pogba drejt Real Madrid, që është një ëndërr e vjetër e lojtarit. Por merkato tashmë është mbyllur dhe Pogba vijon të jetë pjesë e ‘djajve të kuq’, madje duke mos dhënë fare shpjegime rreth prapaskenave të verës. Megjithatë, disa nga mediat angleze kanë zbuluar një fakt interesant. Firma e veshjeve sportive, ‘Adidas’, është një faktori që e ka bindur Pogba të vijojë bashkëpunimin me Manchester United. ‘Adidas’ ka një kontratë sponsorizuese me klubin anglez deri në vitin 2024, me ‘djajtë e kuq’ që arkëtojnë në total 750 milionë euro nga kjo marrëveshje. Gjithashtu, ‘Adidas’ është edhe sponsor personal i Pogba dhe sipas mediave ishullore, drejtues të firmës gjermane kanë bindur kampionin e botës të vijojë qëndrimin në ‘Premier League’.

Duke respektuar kontratën, fitimet e Pogba dhe Manchester United nga ky sponsorizim do të vijojnë të jenë të mëdha. Pra, kjo ka qenë mënyra se si Pogba është bindur të qëndrojë e të vazhdojë të luajë në ‘Old Trafford’, pasi nëse nuk do të kishte qenë për ndërhyrjen e ‘Adidas’, Pogba me gjasa do të ishte tashmë një lojtar i Real Madrid. Mediat angleze shkojnë më tej duke thënë se kampioni i botës do t’i japë skuadrës së United edhe një shans tjetër, por nëse kalohet sërish një vit i vështirë, atëherë mesfushori do të kompletojë largimin e tij nga ‘djajtë e kuq’.