Abrashi, përsëri në një pikë kyçe te Fraiburgu

Sport

Amir Abrashi

Amir Abrashi është kthyer përsëri në një pikë kyçe te Fraiburgu, si pasojë e rigjetjes së gjendjen e tij më të mirë fizike dhe kjo e bën atë një lojtar kyç dhe të pazëvendësueshëm në ekipin gjerman, që i është larguar zonës së ftohtë të klasifikimit.
Kontributi i lojtarit të Kombëtares shqiptare rezultoi mjaft i vyer në fitoren e fundit 2-1 në Bundesligë, përballë Lajpcigut. Mesfushori luajti për 90 minuta dhe në fund të ndeshjes rezultoi se kishte vrapuar më shumë se 12 kilometra në fushë. Tregues mjaft i qartë se është kthyer ai që njohim të gjithë. Si rezultat i kësaj dhe paraqitjes së bërë, e përditshmja “Kicker” e ka vlerësuar me 2.5, një nga notat më të larta që jepen nga shtypi gjerman. Megjithëse për vetë Abrashin, e rëndësishme ishte që ai arriti të luante të 90 minutat pa probleme. “Nuk ndjej dhimbje dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për momentin. Ndjehem mirë, jam në 100%”, ishin fjalët e futbollistit.

Teksa trajneri I Fraiburbut, Straih nuk kurseu elozhet për futbollistin shqiptar, kur deklaroi se “Amiri luajti një rol të rëndësishëm në mesfushë dhe ishte gjithmonë në lëvizje. Kundërshtarët duhej të kujdeseshin gjithmonë për atë dhe kjo është arsyeja pse ne kishim shumë hapësira, ndaj krijuam shumë situata të mira para potës”, pranoi trajneri i Fraiburg.
Rikthimi në formë i Abrashit është një lajm i mire jo vetë për drejtuesin e skuadrës gjermane, por edhe për Kristian Panuçin, i cili e sheh lojtarin si pjesë të planeve të tij në Kombëtaren shqiptare.